Ditët e Trashëgimisë Evropiane në Kosovë (2006, 2007 & 2008)

Tradita e organizimit të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane në Kosovë ka filluar në vitin 2003, si një pilot projekt në fshatin Isniq të Deçanit, ndërsa vazhdoi në mënyrë të njëjtë në vitin 2004 në Dranoc të Deçanit, dhe në vitin 2005 në të dy këto fshatra njëkohësisht. Implementuese e këtyre aktiviteteve ishte organizata suedeze Cultural Heritage without Borders (CHwB). Në vitet 2006, 2007 dhe 2008, DTE kanë marrë përmasa më të gjëra duke përfshirë në vete lokalitete nga të gjitha pjesët e Kosovës. Nën patronazhin e Këshillit të Evropës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe në partneritet me CHwB, OJQ “Emancipimi Civil Ma Ndryshe” ishte implementuese e DTE në kryeqytetin kulturor të Kosovës, në Prizren. [më shumë]

Gjatë DTE-ve, pjesëmarrës të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë patën rastin që në mënyrë të organizuar të vizitojnë disa nga shtëpitë e vjetra karakteristike të qytetit të Prizrenit, të diskutojnë për trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, të debatojnë në lidhje me nevojën e futjes së nëpër shkolla të kësaj lënde, dhe të njihen me planet për konservimin e zonës së Nën – Kalasë nga CHwB, dhe disa pjesëve tjera të qytetit nga Universiteti Politeknik i Stambollit. Në vitin 1991, Këshilli i Evropës, me përkrahjen e Bashkimit Evropian zyrtarisht themeloi “Ditët e Trashëgimisë Evropiane” (DTE) me idenë bazë të promovimit të qasjes në monumente dhe lokalitete të trashëgimisë kulturore, të cilat zakonisht nuk janë të hapura për publik, ndërsa përfaqësojnë vlera të trashëgimisë së përbashkët kulturore evropiane.