Zambaku i Prizrenit (2006)
Në historinë 20-vjeçare të festivalit Zambaku i Prizrenit shënohet edhe një risi. Në vitin 2006, organizimi i festivalit, për herë të parë ndonjëherë i besohet një organizate jo-qeveritare. Emancipimi Civil Ma ndryshe, organizatë kryesisht e të rinjve prizrenas, merr përsipër barrën e një prej festivaleve më të suksesshme dhe të jetëgjata të Kosovës, të dëshmuar si festival i vetëm që mban gjallë traditën e muzikës së vjetër qytetare. Në këtë raport narrativ, pasqyrohet puna disa mujore e OJQ Emancipimi Civil Ma Ndryshe, nga momenti i shkrimit të projekt-propozimit, e deri te përmbyllja e këtij projekti. Projekti ka qenë i ndarë në disa faza, secila e rëndësisë së veçantë dhe e përmbyllur me sukses falë angazhimit të palodhshëm të organizatorit.
Nga momenti i shkrimit të projekt-propozimit e deri në natën e festivalit, më 7 Korrik 2006, përveç të rinjve prizrenas nga OJQ-ja organizatore, në mbarëvajtjes e projektin u angazhuan edhe shumë individë dhe subjekte të ndryshme, që i dhanë këtij projekti një karakter më të gjerë dhe sens pjesëmarrjeje qytetare. Festivali u organizua më 7 Korrik 2006 në Prizren, nën udhëheqjen artistike të Valton Beqirit, me gjithsej 14 këngë konkurruese, të cilët u përcollën nga një publik i madh (rreth 750 veta) në Kino Lumbardhë dhe nga shumë telespektatorë, përmes transmetimit të drejtpërdrejtë nga ana e Radio Televizioni të Kosovës, si në rrjetin tokësor ashtu edhe në atë satelitor.
Fitues të çmimeve të festivalit ishin: Patris Berisha (Çmimi i Parë i Jurisë Profesionale), Astrit Pallaska (Zambaku i Argjendtë/Çmimi i Publikut), Besa Delija (Mikrofoni i Artë/Çmimi i këngëtarëve dhe orkestrës) dhe Behar Arllati (Çmimi i Internetit/Çmimi i Publikut përmes votimit në Internetit).
Realizimin e festivalit e kanë mundësuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kuvendi Komuna i Prizrenit, ProCredit Bank në Kosovë (dega Prizren) dhe sponsorë tjerë. Përkundër vështirësive të realizimin e projektit, refleksionet mediale dhe kritika muzikore, festivalin e vlerësoi me notë të lartë për sa i përket cilësisë artistike dhe profesionale. OJQ Emancipimi Civil Ma Ndryshe konsideron se përmes këtij projekti ka arritur mobilizimin e një spektri të gjerë qytetarësh, duke e udhëhequr një lëvizje qytetare për realizim të suksesshëm të këtij festivali, aq të rëndësishëm dhe kuptimplotë për qytetin e Prizrenit, por edhe për tërë Kosovën.